Ka luajtur një sezon me Empolin dhe po luan akoma me Napolin, ku ky aktuali është i pesti, por Elseid Hysaj akoma nuk ka mësuar të shënojë gol. Mbrojtësi i kombëtares sonë njihet tashmë për karakteristikat e mira mbrojtëse që mbart, por ka mjaft për tu përmirësuar në aspektin sulmues.

Pozicioni i mbrojtësit të krahut ka pësuar shumë ndryshime në këtë epokë të futbollit dhe shumë mbrojtës i i shohim shumë më shpesh se më parë në ofensivë. Ndryshe ndodh me Hysajn, i cili është më i disiplinuar dhe nuk rrezikon shumë përpara. Pikërisht kjo karakteristikë e tij mund të jetë edhe shkaku pse shkodrani mbart rekordin historik të Serie A për mos shënimin e golave.

26-vjeçari numëron plot 183 ndeshje në elitën e futbollit italian gjatë këtyre 6 sezoneve të fundit dhe në asnjë prej tyre nuk ka arritur të rrokë rrjetën. Ai është mjaft i shkëputur nga ndjekësi më i afërt, i cili është Nikola Murru, me 147 ndeshje me Kaljarin dhe Sampdorian. Podiumin e plotëson Davide Santon me 132 ndeshje pa shënuar me fanellat e Interit, Çezenës dhe Romës.

Ndryshe nga eksperienca me klubet, Hysaj ka mundur të gjejë rrjetën me kombëtaren në atë ndeshje spektakolare me Islandën 4-2 në shtator të vitit të kaluar. Shkodrani shënoi një gol të bukur, pas një pasimi po aq me klas nga ana e Rei Manajt në minutën e 52 të ndeshjes, për të çuar rezultatin në 2-1. /vipsport/