Masato Fukui një javë më parë në Kukës u ndëshkua me karton të verdhë dhe për të ishte i katërti, ndaj edhe i mungoi Kamzës në ndeshjen që zhvilloi të dielën me Skënderbeun.

Në listën e lojtarëve që i kanë luajtur të gjitha ndeshjet u largua edhe një lojtar tjetër, duke bërë që tani të jenë të paktë ata që nuk kanë humbur asnjë minutë në Superiore.

Ditën e djeshme u ndal edhe një futbollist tjetër, më saktë ndali veten, pasi mori një karton të kuq në ndeshjen mes skuadrës së Laçit dhe Luftëtarit. Abdurrahman Fangaj është futbollisti në fjalë.

20-vjeçari shkodran i kishte luajtur të 19 ndeshjet e deritanishme në Superiore, por mbajtja që i bëri Bregut rreth minutës së 14-të e ndali. Heqje mundësie për gol dhe karton i kuq i drejtë.

Ndaj Kukësit do të pushojë dhe do të mendojë për ndeshjen e radhës. Tani janë tre lojtarë të tjerë të Laçit që nuk kanë humbur asnjë takim: Selmani, Gjoni dhe Uzuni./sportal/