Javën e dytë të tetorit pritet të nisë kampionati kombëtar i hendbollit për të rritur. Në këtë kampionat, krahas ekipeve të tjera, do marrë pjesë edhe Vllaznia e Shkodrës. Përveç saj, pjesmarrëse do jenë edhe ekipet e Elbasanit, Studentit, Tiranës, Universitetit “Skënderbej” etj. Ekipi shkodran që drejtohet nga trajneri Ardit Qiellza ka nisur prej kohësh përgatitjet dhe tashmë është gati për nisjen e evenimentit më të rëndësishëm të këtij sporti. Shkodranët gjatë gjithë këtyre viteve të fundit kanë qenë pretendentët kryesorë për titullin kampion pavarësisht vështirësive që kanë me ambjentin e stërvitjes. Mungesa e një sale të mbyllur për aplikimin e këtij sporti, ka shkaktuar jo pak probleme por falë pasionit të disa ish-sportistëve ky sport vazhdon të mbijetojë. Ditët e fundit në Tiranë është zhvilluar edhe një seminar me trajnerët dhe gjyqtarët pjesmarrës në kampionatin e ardhshëm.