Skënderben në volejboll për femra ka arritur të fitojë brenda në Shkodër ndaj Vllaznisë në ndeshjen e javës së dytë të kampionatit. Një ndeshje që pati brenda jo pak emocione ngaqë ajo shkoi në set final, set në të cilin kanë qenë vajzat korçare që janë treguar më të sakta dhe kanë arritur të fitojnë. Skënderbeu në fakt ka kaluar dy herë në avantazh me sete teksa ka fituar të parin në shifrat 25 me 11 e të tretin 25 me 21 ndërkohë që Vllaznia ka arritur të barazojë dy herë duke fituar të dytin 25 me 19 dhe të katërtin 26 me 24.

Kjo bëri që ndeshja të shkonte me set final, ku vajzat nga Korça u treguan më të sakta dhe e fituan atë 15 me 11 dhe krejt ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Pas ndeshjes, trajnerja e Vllaznisë Sadije Gogaj për shkodrasport.com, ka folur jo vetëm për këtë ndeshje por edhe për problemet që e kanë shoqëruar së fundi këtë ekip, duke filluar nga largimi i trajnerit malazez apo dhe bojkotimi disaditor i stërvitjes nga disa prej vajzave megjithatë ajo deklaroi se tashmë çdo problem është tejkaluar.Pavarësisht deklaratës së trajneres Gogaj, me ekipin ende nuk ka nisur stërvitjen kapitenia Ana Gjelaj megjithatë objektivi i Vllaznisë sërish pritet të jetë futja në mes katër ekipeve më të mira për të siguruar kështu fazën e plej- ofit.
Gjergj KOLA